1 Korintasve 11
  • 1 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.
  • 2 Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.
  • 3 Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.
  • 4 Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.
  • 5 Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.
  • 6 Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.
  • 7 Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,
  • 8 sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,
  • 9 edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.
  • 10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.
  • 11 Gjithsesi në Zotin as burri s'është pa gruan, as gruaja pa burrin,
  • 12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.
  • 13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa u mbuluar?
  • 14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?
  • 15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.
  • 16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s'kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.
  • 17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.
  • 18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.
  • 19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.
  • 20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,
  • 21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.
  • 22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.
  • 23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën
  • 24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
  • 25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim''.
  • 26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.
  • 27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.
  • 28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,
  • 29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.
  • 30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.
  • 31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.
  • 32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.
  • 33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.
  • 34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t'i rregulloj.