2 Kronikave 15
Shqip Bibla e Shenjtë · 19 verses
- 1 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit,
- 2 që doli të takojë Asan dhe i tha: "Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë.
- 3 Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj.
- 4 Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin.
- 5 Në atë kohë nuk kishte siguri për ata që shkonin e vinin, sepse të gjithë banorët e vendeve ishin shumë të shqetësuar.
- 6 Një komb shtypej nga një tjetër, një qytet nga një tjetër, sepse Perëndia i hidhëronte me fatkeqësira të çdo lloji.
- 7 Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.
- 8 Kur Asa dëgjoi këto fjalë dhe profecinë e profetit Oded, mori zemër dhe hodhi idhujt e neveritshëm nga tërë vendi i Judës dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet që kishte pushtuar në zonën malore të
- 9 Pastaj mblodhi tërë Judën dhe Beniaminin dhe ata të Efraimit, të Manasit dhe të Simeonit që banonin bashkë me ta; në fakt kishin ardhur tek ai në numër të madh nga Izraeli, kur kishin parë që Zoti, Perëndia i tyre, ishte me të.
- 10 Kështu u mblodhën në Jeruzalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërisë së Asas.
- 11 Në atë kohë flijuan për Zotin plaçka që kishin marrë, shtatëqind lopë dhe shtatë mijë dele.
- 12 Pastaj u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin e tyre.
- 13 Kushdo që nuk e kishte kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit, do të dënohej me vdekje, qoftë i madh apo i vogël, burrë apo grua.
- 14 Përveç kësaj iu betuan Zotit me zë të lartë dhe me britma gëzimi, të shoqëruar me boritë dhe brirët.
- 15 Tërë Juda u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër dhe kishin kërkuar Zotin me gjithë vullnetin e tyre, dhe ai i kishte lënë ta gjejnë. Kështu Zoti u dha paqe rreth e qark.
- 16 Ai hoqi nga pozita që kishte si mbretëreshë edhe Maakahën, nënën e mbretit Asa, sepse ajo kishte bërë një shëmbëlltyrë të neveritshme të Asherahut. Pastaj Asa e shkatërroi shëmbëlltyrën, e bëri copë-copë dhe e dogji pranë përroit Kidron.
- 17 Por vendet e larta nuk u zhdukën në Izrael, megjithëse zemra e Asas mbeti e ndershme gjatë gjithë jetës së tij.
- 18 Ai bëri që të sillen në shtëpinë e Perëndisë gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat e shenjtëruara nga ai vetë: argjendin, arin dhe enët.
- 19 Dhe nuk pati më luftë deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërisë së Asas.