Veprat e Apostujve 5
  • 1 Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,
  • 2 por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.
  • 3 Por Pjetri i tha: ''Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?
  • 4 Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!''.
  • 5 Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.
  • 6 Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.
  • 7 Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç'kishte ndodhur.
  • 8 Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: ''Më thuaj, a e shitët arën për kaq?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Po, për aq''.
  • 9 Atëherë Pjetri i tha: ''Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!''.
  • 10 Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.
  • 11 Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.
  • 12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.
  • 13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.
  • 14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,
  • 15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.
  • 16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.
  • 17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
  • 18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
  • 19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:
  • 20 ''Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete''.
  • 21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t'i sjellë apostujt.
  • 22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,
  • 23 duke thënë: ''Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda''.
  • 24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç'donte të thoshte gjithë kjo punë.
  • 25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ''Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin''.
  • 26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.
  • 27 Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,
  • 28 duke thënë: ''Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu''.
  • 29 Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ''Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.
  • 30 Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.
  • 31 Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
  • 32 Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij''.
  • 33 Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t'i vrasin.
  • 34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.
  • 35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: ''Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t'u bëni këtyre njerëzve.
  • 36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
  • 37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
  • 38 Tani unë po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve dhe t'i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,
  • 39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!''.
  • 40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.
  • 41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.
  • 42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.