Predikuesi 6
Shqip Bibla e Shenjtë · 12 verses
- 1 Éshtë një e keqe tjetër që kam parë nën diell dhe që është e përhapur midis njerëzve:
- 2 dikujt Perëndia i ka dhënë pasuri, të mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgjë nga gjithë ato që mund të dëshirojë, por Perëndia nuk i jep mundësinë t'i gëzojë, por i gëzon një i huaj. Kjo është kotësi dhe një e keqe e madhe.
- 3 Në qoftë se dikujt i lindin njëqind bij dhe jeton shumë vite dhe të shumta janë ditët e viteve të tij, por shpirti i tij nuk ngopet me të mira dhe nuk ka as varr unë them se një dështim është më i lumtur se ai;
- 4 sepse ka ardhuar më kot dhe po ikën në terr, dhe emri i tij është mbuluar nga terri.
- 5 Edhe sikur të mos e ketë parë as njohur diellin, megjithatë ka më shumë pushim se tjetri.
- 6 Po, edhe sikur të duhej të jetonte dy herë një mijë vjet, por pa mundur të gëzojë të mirat e tij. A nuk mbarojnë të gjitha në po atë vend?
- 7 Tërë mundi i njeriut është për gojën e tij, megjithatë oreksi i tij nuk ngopet kurrë.
- 8 Ç'përfitim ka i urti mbi budallanë? Ç'përfitim ka i varfëri në rast se di të ecë përpara njerëzve të gjallë?
- 9 Éshtë më mirë të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirën. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
- 10 Ajo që është, prej kohe është quajtur me emrin e vet dhe dihet se ç'është njeriu, dhe që nuk mund të hahet me atë që është më i fortë se ai.
- 11 Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka prej tyre njeriu?
- 12 Kush e di në fakt ç'është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë që ai i kalon si një hije? Kush mund t'i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?