Levitiku 22
Shqip Bibla e Shenjtë · 33 verses
- 1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
- 2 "Folu Aaronit dhe bijve të tij që të heqin dorë nga gjërat e shenjta që më janë shenjtëruar nga bijtë e Izraelit dhe të mos përdhosin emrim tim të shenjtë. Unë jam Zoti.
- 3 U thuaj atyre: "Cilido burrë i fisit tuaj që në brezat e ardhshme do t'u afrohet në gjendje papastërtie gjërave të shenjta, që bijtë e Izraelit ia kanë shenjtëruar Zotit, do të shfaroset nga prania ime. Unë jam Zoti.
- 4 Asnjë burrë nga fisi i Aaronit, i sëmurë nga lebra ose me fluks qoftë, nuk do të hajë gjëra të shenjta deri sa të bëhet i pastër. Gjithashtu ai që prek çfarëdo gjë që është bërë e papastër nga kontakti me një kufomë, apo ai që ka pasur një lëshim fare,
- 5 ose ai që ka prekur një zvarranik që e ka bërë të papastër, ose një njeri që i ka komunikuar një papastërti të çfarëdo lloji,
- 6 personi që ka prekur këto gjëra do të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe nuk ka për të ngrënë gjëra të shenjta para se të ketë larë trupin e tij me ujë;
- 7 mbas perëndimit të diellit do të jetë i pastër dhe do të mund të hajë gjëra të shenjta, sepse janë ushqimi i tij.
- 8 Prifti nuk do të hajë mish kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme apo të shqyer, për të mos u bërë i papastër. Unë jam Zoti.
- 9 Priftërinjtë do të respektojnë, pra, atë që kam urdhëruar, përndryshe do të mbajnë dënimin e mëkatit të tyre dhe do të vdesin sepse kanë përdhosur gjërat e shenjta. Unë jam Zoti që i shenjtëroj.
- 10 Asnjë i huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta; as një mik i priftit, as një rrogtar nuk do të mund të hajë gjërat e shenjta.
- 11 Por në rast se prifti ble një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij.
- 12 Bija e priftit që është martuar me një të huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta të ofruara për ngritje.
- 13 Por në qoftë se bija e priftit ka mbetur e ve, apo është ndarë nga burri dhe nuk ka fëmijë, dhe është kthyer të rrijë me të atin ashtu si kur ishte e re, do të mund të hajë nga buka e atit të saj; po asnjë i huaj nuk do ta hajë atë.
- 14 Në qoftë se dikush ha gabimisht një gjë të shenjtë, do t'i japë priftit gjënë e shenjtë, duke i shtuar një të pestën.
- 15 Priftërinjtë nuk do të përdhosin, pra, gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që ata i ofrojnë Zotit për ngritje,
- 16 dhe nuk do të bëjnë që ata të mbajnë dënimin e mëkatit për të cilin do të bëheshin fajtorë, duke ngrënë gjërat e tyre të shenjta; sepse unë, Zoti, i shenjtëroj"".
- 17 Zoti i foli akoma Moisiut duke i thënë:
- 18 "Folu Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kushdo nga shtëpia e Izraelit ose nga të huajt në Izrael, që paraqet si olokaust për Zotin një ofertë për çfarëdo kushti ose çfarëdo dhurate sipas dëshirës;
- 19 për të qënë i mirëpritur, do të ofrojë një mashkull, pa të meta, të marrë nga qetë, nga dhentë apo nga dhitë.
- 20 Nuk do të ofroni asgjë që ka një të metë, sepse nuk do të ishte e pëlqyer.
- 21 Kur dikush i ofron Zotit një flijim falënderimi, që është marrë nga kopeja apo nga tufa, qoftë për të përmbushur një kusht, qoftë si ofertë vullnetare, viktima për t'u pëlqyer duhet të jetë e përsosur; nuk duhet të ketë asnjë të metë.
- 22 Nuk do t'i ofroni Zotit një viktimë të verbër, të çalë apo të gjymtuar, apo që ka ulcera, ekzemë ose zgjebe; dhe nuk do të bëni mbi altar flijime me zjarr për Zotin.
- 23 Do të mund të paraqesësh si ofertë vullnetare një ka ose një dele që ka një këmbë shumë të gjatë apo shumë të shkurtër; por si kusht nuk do të ishte i mirëpritur.
- 24 Nuk do t'i ofrosh Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, a të shtypura, të këputura apo të prera; flijime të tilla nuk do të bëni në vendin tuaj.
- 25 Nuk do pranoni nga i huaji asnjë nga këto viktima për ta ofruar si bukë të Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime dhe të meta; nuk do të pëlqeheshin për ju.
- 26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
- 27 "Kur do të lindë një viç, a një qengj a një kec, do ta lini shtatë ditë me të ëmën; nga dita e tetë e tutje do të pëlqehet si flijim i bërë me zjarr për Zotin.
- 28 Nuk do të therni një lopë apo një dele me gjithë të voglin e saj në të njëjtën ditë.
- 29 Kur do t'i ofroni Zotit një flijim falënderimi, paraqiteni në mënyrë që të pëlqehet.
- 30 Viktima do të hahet po atë ditë; nuk do të lini asgjë deri në mëngjes. Unë jam Zoti.
- 31 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia dhe do t'i vini në zbatim. Unë jam Zoti.
- 32 Nuk do të përdhosni emrin tim të shenjtë, por do të shenjtërohem në mes të bijve të Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëron,
- 33 që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qënë Perëndia juaj. Unë jam Zoti".