Mateu 26
Shqip Bibla e Shenjtë · 75 verses
- 1 Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
- 2 ''Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar''.
- 3 Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
- 4 Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
- 5 por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull''.
- 6 Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
- 7 iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
- 8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ''Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
- 9 Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve''.
- 10 Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: ''Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
- 11 Sepse të varfërit do t'i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
- 12 Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
- 13 Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj''.
- 14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
- 15 dhe u tha atyre: ''Sa do të më jepni që unë t'jua dorëzoj?''. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
- 16 Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
- 17 Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: ''Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?''.
- 18 Dhe ai u përgjigj: ''Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"''.
- 19 Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.
- 20 Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;
- 21 dhe, ndërsa po hanin, tha: ''Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.
- 22 Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: ''Mos jam unë; Zot?''.
- 23 Dhe ai duke u përgjigjur, tha: ''Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.
- 24 Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë''.
- 25 Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: ''Rabbi, mos jam unë ai?''. Ai i tha: ''Ti po thua!''.
- 26 Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.
- 27 Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë,
- 28 sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.
- 29 Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''.
- 30 Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.
- 31 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".
- 32 Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''.
- 33 Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''.
- 34 Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.
- 35 Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.
- 36 Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''.
- 37 Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.
- 38 Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''.
- 39 Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''.
- 40 Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?
- 41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''.
- 42 U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''.
- 43 Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.
- 44 Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.
- 45 Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.
- 46 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër''.
- 47 Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.
- 48 Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''.
- 49 Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht.
- 50 Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.
- 51 Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
- 52 Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.
- 53 A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
- 54 Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''.
- 55 Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.
- 56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
- 57 Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
- 58 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.
- 59 Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,
- 60 por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,
- 61 të cilët thanë: ''Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"''.
- 62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: ''Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?''.
- 63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ''Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë''.
- 64 Jezusi i tha: ''Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit''.
- 65 Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ''Ai blasfemoi; ç'na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.
- 66 Si ju duket juve?''. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: ''Ai është fajtor për vdekje!''.
- 67 Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,
- 68 duke thënë: ''O Krisht, profetizo! Kush të ra?''.
- 69 Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: ''Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin''.
- 70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: ''Nuk di ç'po thua!''.
- 71 Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: ''Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!''.
- 72 Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''.
- 73 Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: ''Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!''.
- 74 Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Dhe në atë çast këndoi gjeli.
- 75 Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: ''Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë''. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.