Numrat 35
Shqip Bibla e Shenjtë · 34 verses
- 1 Zoti i foli akoma Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, dhe i tha:
- 2 "Urdhëro bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që do të zotërojnë, t'u japin Levitëve disa qytete për të banuar, do t'u jepni gjithashtu kullota rreth qyteteve.
- 3 Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t'u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre.
- 4 Kullotat e qyteteve që do t'u jepni Levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark.
- 5 Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t'u përkasin Levitëve.
- 6 Ndër qyetet që do t'u jepni Levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t'u shtoni dyzet e dy qytete të tjera.
- 7 Gjithsej qytetet që do t'u jepni Levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë.
- 8 Qytetet që do t'u jepni Levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t'u japë Levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjestim me trashëgiminë që do t'i takojë".
- 9 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
- 10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit,
- 11 do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje.
- 12 Këto qytete do t'ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë.
- 13 Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi.
- 14 Do të jepni trie qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe trie qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi.
- 15 Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.
- 16 Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet.
- 17 Dhe në rast se e godet me një gur që kishte në dorë, që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ai person është vrasës; vrasësi do të vritet.
- 18 Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet.
- 19 Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë.
- 20 Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes,
- 21 ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë.
- 22 Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje,
- 23 ose, pa e parë, shkakton që t'i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij,
- 24 atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave.
- 25 Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje deri sa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar.
- 26 Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur,
- 27 dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur,
- 28 sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit deri sa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij.
- 29 Këto le t'ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni.
- 30 Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm.
- 31 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e jetës së një vrasësi që është dënuar me vdekje, sepse ai duhet të vritet.
- 32 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e një vrasësi që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, me qëllim që të kthehet të banojë në tokën e tij para vdekjes së kryepriftit.
- 33 Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur.
- 34 Nuk do të ndotni, pra, vendin ku banoni, dhe në mes të të cilit banoj edhe unë, sepse unë jam Zoti që banon midis bijve të Izraelit.