Zanafilla 33
Shqip Bibla e Shenjtë · 20 verses
- 1 Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.
- 2 Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.
- 3 Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.
- 4 Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.
- 5 Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t'i japë shërbyesit tënd".
- 6 Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.
- 7 U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.
- 8 Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".
- 9 Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".
- 10 Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.
- 11 Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.
- 12 Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje".
- 13 Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t'i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur.
- 14 Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir".
- 15 Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim".
- 16 Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit.
- 17 Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth.
- 18 Pastaj Jakobi, duke u kthyer nga Padan-Arami, arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit, në vendin e Kanaanit, ku ngriti çadrat e tij përballë qytetit.
- 19 Dhe bleu nga bijtë e Hamorit, at i Sikemit, për njëqind copë paresh, pjesën e fushës ku kishte ngritur çadrat e tij përballë qytetit.
- 20 Pastaj aty ngriti një altar dhe e quajti El-Elohej-Izrael.