Gjoni 12
Shqip Bibla e Shenjtë · 50 verses
- 1 Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish.
- 2 Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.
- 3 Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.
- 4 Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha:
- 5 ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''.
- 6 Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda.
- 7 Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.
- 8 Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''.
- 9 Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.
- 10 Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin,
- 11 sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin.
- 12 Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem,
- 13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''.
- 14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar:
- 15 ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''.
- 16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të.
- 17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të.
- 18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë.
- 19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: ''A e shihni se s'po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij''.
- 20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.
- 21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''.
- 22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.
- 23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,
- 24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!
- 25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.
- 26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.
- 27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.
- 28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''.
- 29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: ''Një engjëll i ka folur!''.
- 30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.
- 31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!
- 32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''.
- 33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste.
- 34 Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''.
- 35 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''.
- 36 ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.
- 37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,
- 38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''.
- 39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:
- 40 ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''.
- 41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
- 42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,
- 43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.
- 44 Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.
- 45 Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.
- 46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.
- 47 Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.
- 48 Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.
- 49 Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall.
- 50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''.