Luka 17
Shqip Bibla e Shenjtë · 37 verses
- 1 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!
- 2 Për të do të ishte më mirë t'i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.
- 3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.
- 4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''.
- 5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: ''Na e shto besimin''.
- 6 Dhe Zoti tha: ''Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej.
- 7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?
- 8 A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?
- 9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.
- 10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''.
- 11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
- 12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
- 13 dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''.
- 14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
- 15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
- 16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
- 17 Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
- 18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''.
- 19 Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''.
- 20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;
- 21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush''.
- 22 Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
- 23 Dhe do t'ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.
- 24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
- 25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
- 26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.
- 27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
- 28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;
- 29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.
- 30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.
- 31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.
- 32 Kujtoni gruan e Lotit.
- 33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.
- 34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
- 35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.
- 36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet''.
- 37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: ''Ku, o Zot?'' Dhe ai u tha atyre: ''Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat''.