Luka 22
  • 1 Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.
  • 2 Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.
  • 3 Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.
  • 4 Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.
  • 5 Ata u gëzuan dhe i premtuan t'i japin para.
  • 6 Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.
  • 7 Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.
  • 8 Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''.
  • 9 Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''.
  • 10 Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.
  • 11 I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
  • 12 Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''.
  • 13 Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
  • 14 Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.
  • 15 Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
  • 16 sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''.
  • 17 Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,
  • 18 sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''.
  • 19 Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
  • 20 Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
  • 21 Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
  • 22 Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''.
  • 23 Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
  • 24 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
  • 25 Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
  • 26 Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
  • 27 Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
  • 28 Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
  • 29 Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
  • 30 që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
  • 31 Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
  • 32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''.
  • 33 Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.
  • 34 Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''.
  • 35 Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''.
  • 36 U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.
  • 37 Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''.
  • 38 Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''.
  • 39 Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
  • 40 Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''.
  • 41 Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,
  • 42 duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.
  • 43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t'i dhënë forcë.
  • 44 Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
  • 45 Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
  • 46 dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.
  • 47 Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
  • 48 Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''.
  • 49 Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''.
  • 50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
  • 51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
  • 52 Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
  • 53 Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.
  • 54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
  • 55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
  • 56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''.
  • 57 Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''.
  • 58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''.
  • 59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ''Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas''.
  • 60 Por Pjetri tha: ''O njeri, s'di ç'po thua''. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
  • 61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ''Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.
  • 62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.
  • 63 Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.
  • 64 Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?".
  • 65 Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.
  • 66 Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:
  • 67 ''Në se ti je Krishti, na e thuaj''. Por ai u tha atyre: ''Edhe sikur t'jua thoja, nuk do ta besonit.
  • 68 Edhe sikur t'ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.
  • 69 Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë''.
  • 70 Atëherë të gjithë thanë: ''Je ti, pra, Biri i Perëndisë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Ju thoni se unë jam''.
  • 71 Atëherë ata thanë: ''Ç'nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij''.