Marku 5
Shqip Bibla e Shenjtë · 43 verses
- 1 Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.
- 2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,
- 3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.
- 4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.
- 5 Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.
- 6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,
- 7 dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''.
- 8 Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''.
- 9 Atëhere Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë''.
- 10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.
- 11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.
- 12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''.
- 13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.
- 14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.
- 15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.
- 16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.
- 17 Atëhere ata filluan t'i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.
- 18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;
- 19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: ''Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty''.
- 20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.
- 21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.
- 22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,
- 23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''.
- 24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.
- 25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh
- 26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,
- 27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,
- 28 sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem''.
- 29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.
- 30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ''Kush m'i preku rrobat?
- 31 Dhe dishepujt e vet i thanë: ''A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: ''Kush më preku?''.
- 32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.
- 33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç'i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.
- 34 Dhe ai i tha: ''Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!''.
- 35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: ''Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?''.
- 36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç'u tha, i tha kryetarit të sinagogës: ''Mos ki frikë, vetëm ki besim!''.
- 37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.
- 38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.
- 39 Hyri dhe u tha atyre: ''Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle''.
- 40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.
- 41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ''Talitha kumi'', që e përkthyer do të thotë: ''Vajzë, ty po të them: Çohu!''.
- 42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.
- 43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t'i japin vajzës të hajë.