Marku 8
  • 1 Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:
  • 2 ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë.
  • 3 Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''.
  • 4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''.
  • 5 Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''.
  • 6 Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
  • 7 Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës.
  • 8 Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
  • 9 Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
  • 10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
  • 11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.
  • 12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''.
  • 13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.
  • 14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke.
  • 15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''.
  • 16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''.
  • 17 Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse dis-kutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?
  • 18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?
  • 19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''.
  • 20 ''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''.
  • 21 Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''.
  • 22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.
  • 23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.
  • 24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''.
  • 25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.
  • 26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''.
  • 27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''.
  • 28 Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''.
  • 29 Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''.
  • 30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.
  • 31 Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.
  • 32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.
  • 33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''.
  • 34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,
  • 35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.
  • 36 Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?
  • 37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?
  • 38 Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''.