Vajtimet 3
  • 1 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
  • 2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
  • 3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
  • 4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
  • 5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
  • 6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
  • 7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
  • 8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
  • 9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
  • 10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.
  • 11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.
  • 12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.
  • 13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.
  • 14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.
  • 15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.
  • 16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.
  • 17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.
  • 18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".
  • 19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
  • 20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
  • 21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
  • 22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
  • 23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
  • 24 "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
  • 25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
  • 26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
  • 27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.
  • 28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.
  • 29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.
  • 30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.
  • 31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;
  • 32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,
  • 33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.
  • 34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,
  • 35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,
  • 36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?
  • 37 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?
  • 38 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?
  • 39 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?
  • 40 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.
  • 41 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.
  • 42 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.
  • 43 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.
  • 44 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.
  • 45 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.
  • 46 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.
  • 47 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.
  • 48 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.
  • 49 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,
  • 50 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.
  • 51 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.
  • 52 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.
  • 53 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.
  • 54 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".
  • 55 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.
  • 56 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.
  • 57 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"
  • 58 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.
  • 59 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!
  • 60 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.
  • 61 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,
  • 62 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.
  • 63 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.
  • 64 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.
  • 65 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.
  • 66 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.