Psalmet 50
  • 1 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
  • 2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
  • 3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
  • 4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
  • 5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
  • 6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
  • 7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
  • 8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
  • 9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.
  • 10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.
  • 11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.
  • 12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.
  • 13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?
  • 14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.
  • 15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".
  • 16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
  • 17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
  • 18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
  • 19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
  • 20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
  • 21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
  • 22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
  • 23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".