Psalmet 78
  • 1 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
  • 2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
  • 3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
  • 4 nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
  • 5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
  • 6 me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre,
  • 7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
  • 8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
  • 9 Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
  • 10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
  • 11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
  • 12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
  • 13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
  • 14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
  • 15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
  • 16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
  • 17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
  • 18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
  • 19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
  • 20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij?
  • 21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
  • 22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
  • 23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
  • 24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
  • 25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
  • 26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
  • 27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
  • 28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
  • 29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
  • 30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
  • 31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
  • 32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
  • 33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
  • 34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
  • 35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
  • 36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
  • 37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
  • 38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
  • 39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
  • 40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
  • 41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
  • 42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
  • 43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
  • 44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
  • 45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.
  • 46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
  • 47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
  • 48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
  • 49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
  • 50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
  • 51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
  • 52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
  • 53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
  • 54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
  • 55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
  • 56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
  • 57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
  • 58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
  • 59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
  • 60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
  • 61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
  • 62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
  • 63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
  • 64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
  • 65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
  • 66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
  • 67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
  • 68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
  • 69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
  • 70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
  • 71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
  • 72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.