Psalmet 119
  • 1 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
  • 2 Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
  • 3 dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
  • 4 Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
  • 5 Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
  • 6 Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
  • 7 Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
  • 8 Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
  • 9 Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.
  • 10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.
  • 11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
  • 12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.
  • 13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.
  • 14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.
  • 15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.
  • 16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.
  • 17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
  • 18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
  • 19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua.
  • 20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
  • 21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
  • 22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
  • 23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
  • 24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
  • 25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
  • 26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
  • 27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
  • 28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
  • 29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
  • 30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
  • 31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
  • 32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
  • 33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
  • 34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
  • 35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
  • 36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
  • 37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
  • 38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
  • 39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
  • 40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
  • 41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
  • 42 Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
  • 43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
  • 44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
  • 45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
  • 46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
  • 47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
  • 48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
  • 49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
  • 50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
  • 51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
  • 52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
  • 53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
  • 54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
  • 55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
  • 56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
  • 57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
  • 58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
  • 59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.
  • 60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
  • 61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
  • 62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
  • 63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
  • 64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
  • 65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
  • 66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
  • 67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
  • 68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
  • 69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
  • 70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
  • 71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
  • 72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
  • 73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
  • 74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
  • 75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
  • 76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
  • 77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
  • 78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
  • 79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
  • 80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
  • 81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
  • 82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
  • 83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
  • 84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?
  • 85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
  • 86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
  • 87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
  • 88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
  • 89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.
  • 90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
  • 91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
  • 92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
  • 93 Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
  • 94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
  • 95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
  • 96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
  • 97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
  • 98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
  • 99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
  • 100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
  • 101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
  • 102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
  • 103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
  • 104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
  • 105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.
  • 106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.
  • 107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.
  • 108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.
  • 109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.
  • 110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.
  • 111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.
  • 112 Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.
  • 113 Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
  • 114 Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
  • 115 Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
  • 116 Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
  • 117 Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
  • 118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
  • 119 Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
  • 120 Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.
  • 121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
  • 122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
  • 123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
  • 124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
  • 125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
  • 126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
  • 127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
  • 128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
  • 129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
  • 130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
  • 131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
  • 132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
  • 133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
  • 134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
  • 135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
  • 136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
  • 137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
  • 138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
  • 139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
  • 140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
  • 141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
  • 142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
  • 143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
  • 144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
  • 145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
  • 146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
  • 147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
  • 148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
  • 149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
  • 150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
  • 151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
  • 152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
  • 153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
  • 154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
  • 155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
  • 156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
  • 157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
  • 158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
  • 159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
  • 160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
  • 161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
  • 162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
  • 163 Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
  • 164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
  • 165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë.
  • 166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
  • 167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
  • 168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
  • 169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
  • 170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
  • 171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
  • 172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
  • 173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
  • 174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
  • 175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
  • 176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.