Psalmet 94
  • 1 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
  • 2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
  • 3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
  • 4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
  • 5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
  • 6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
  • 7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
  • 8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
  • 9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
  • 10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
  • 11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
  • 12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
  • 13 për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit.
  • 14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
  • 15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas.
  • 16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
  • 17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
  • 18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
  • 19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
  • 20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
  • 21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
  • 22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
  • 23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.