Psalmet 105
  • 1 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
  • 2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
  • 3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
  • 4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
  • 5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
  • 6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
  • 7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
  • 8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
  • 9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
  • 10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
  • 11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj",
  • 12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,
  • 13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.
  • 14 Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,
  • 15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
  • 16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
  • 17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
  • 18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
  • 19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
  • 20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
  • 21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,
  • 22 për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë.
  • 23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.
  • 24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.
  • 25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.
  • 26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.
  • 27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.
  • 28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.
  • 29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.
  • 30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.
  • 31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.
  • 32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;
  • 33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.
  • 34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,
  • 35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.
  • 36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;
  • 37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
  • 38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
  • 39 Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën.
  • 40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
  • 41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.
  • 42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
  • 43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
  • 44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
  • 45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.