Jobi 28
Shqip Bibla e Shenjtë · 28 verses
- 1 "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit.
- 2 Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin.
- 3 Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes.
- 4 Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve.
- 5 Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri.
- 6 Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari.
- 7 Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë.
- 8 Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej.
- 9 Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët.
- 10 Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar.
- 11 Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura.
- 12 Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?
- 13 Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve.
- 14 Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje".
- 15 Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend.
- 16 Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin.
- 17 Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar.
- 18 Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.
- 19 Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.
- 20 Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia?
- 21 Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit.
- 22 Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona".
- 23 Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet,
- 24 sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt.
- 25 Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë,
- 26 kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave,
- 27 atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi,
- 28 dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t'i largohesh së keqes është zgjuarsi"".