Jobi 22
  • 1 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
  • 2 "A mundet vallë njeriu t'i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.
  • 3 Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?
  • 4 Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?
  • 5 Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?
  • 6 Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.
  • 7 Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.
  • 8 Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.
  • 9 E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.
  • 10 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,
  • 11 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.
  • 12 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!
  • 13 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?
  • 14 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".
  • 15 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,
  • 16 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?
  • 17 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".
  • 18 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.
  • 19 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;
  • 20 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.
  • 21 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.
  • 22 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.
  • 23 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua
  • 24 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,
  • 25 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.
  • 26 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.
  • 27 Do t'i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.
  • 28 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.
  • 29 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin
  • 30 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".