Jobi 13
Shqip Bibla e Shenjtë · 28 verses
- 1 "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.
- 2 Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.
- 3 Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;
- 4 sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.
- 5 Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.
- 6 Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.
- 7 A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?
- 8 A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?
- 9 Do të ishte më mirë për ju që ai t'ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?
- 10 Me siguri ai do t'ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.
- 11 Madhëria e tij vallë a nuk do t'ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?
- 12 Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.
- 13 Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.
- 14 Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?
- 15 Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.
- 16 Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.
- 17 Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.
- 18 Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.
- 19 Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.
- 20 Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t'i fshihem pranisë sate;
- 21 largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.
- 22 Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.
- 23 Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!
- 24 Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?
- 25 Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?
- 26 Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?
- 27 Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,
- 28 Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".