Jobi 9
Shqip Bibla e Shenjtë · 35 verses
- 1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
- 2 "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?
- 3 Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.
- 4 Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?
- 5 Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.
- 6 Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.
- 7 Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.
- 8 I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.
- 9 Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.
- 10 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.
- 11 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.
- 12 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?".
- 13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.
- 14 Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?
- 15 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.
- 16 Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,
- 17 ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.
- 18 Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.
- 19 Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur?
- 20 Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.
- 21 Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.
- 22 Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".
- 23 Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.
- 24 Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?
- 25 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.
- 26 Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.
- 27 Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",
- 28 më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.
- 29 Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?
- 30 Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,
- 31 ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.
- 32 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.
- 33 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.
- 34 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.
- 35 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.