Jobi 3
  • 1 Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
  • 2 Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
  • 3 "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
  • 4 Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
  • 5 E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
  • 6 Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
  • 7 Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
  • 8 E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
  • 9 U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
  • 10 sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
  • 11 Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
  • 12 Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
  • 13 Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
  • 14 bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
  • 15 ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
  • 16 Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
  • 17 Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
  • 18 Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
  • 19 Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
  • 20 Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
  • 21 të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
  • 22 gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
  • 23 Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
  • 24 Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
  • 25 Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
  • 26 Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".