Jobi 33
Shqip Bibla e Shenjtë · 33 verses
- 1 "Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!
- 2 Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.
- 3 Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.
- 4 Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.
- 5 Në rast se mundesh, m'u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.
- 6 Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.
- 7 Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.
- 8 Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:
- 9 "Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.
- 10 Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;
- 11 i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia".
- 12 Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.
- 13 Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?
- 14 Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:
- 15 në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.
- 16 Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,
- 17 për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,
- 18 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.
- 19 Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,
- 20 aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.
- 21 Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;
- 22 kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.
- 23 Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij.
- 24 Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".
- 25 Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.
- 26 Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.
- 27 Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.
- 28 Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".
- 29 Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,
- 30 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.
- 31 Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.
- 32 Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.
- 33 Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë".