Jobi 6
  • 1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
  • 2 "Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,
  • 3 do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.
  • 4 Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje.
  • 5 Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?
  • 6 A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?
  • 7 Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.
  • 8 Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!
  • 9 Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!
  • 10 Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.
  • 11 Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?
  • 12 Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?
  • 13 A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?
  • 14 Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
  • 15 Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.
  • 16 Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,
  • 17 por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.
  • 18 Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë.
  • 19 Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,
  • 20 por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.
  • 21 Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.
  • 22 A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",
  • 23 ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?
  • 24 Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.
  • 25 Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?
  • 26 Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?
  • 27 Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.
  • 28 Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.
  • 29 Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.
  • 30 A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?".