Fjalët e Urta 13
Shqip Bibla e Shenjtë · 25 verses
- 1 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
- 2 Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
- 3 Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
- 4 Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
- 5 I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
- 6 Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
- 7 Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
- 8 Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
- 9 Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
- 10 Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
- 11 Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo.
- 12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.
- 13 Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.
- 14 Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes.
- 15 Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
- 16 Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.
- 17 Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
- 18 Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
- 19 Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.
- 20 Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
- 21 E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.
- 22 Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.
- 23 Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.
- 24 Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
- 25 I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.