Fjalët e Urta 6
Shqip Bibla e Shenjtë · 35 verses
- 1 Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,
- 2 je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.
- 3 Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.
- 4 Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;
- 5 çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.
- 6 Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.
- 7 Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;
- 8 e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.
- 9 Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?
- 10 Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t'u çlodhur,
- 11 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
- 12 Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;
- 13 luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;
- 14 ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.
- 15 Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.
- 16 Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:
- 17 sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,
- 18 zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,
- 19 dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.
- 20 Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.
- 21 Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.
- 22 Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.
- 23 Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,
- 24 për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.
- 25 Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.
- 26 Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.
- 27 A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?
- 28 A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?
- 29 Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
- 30 Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;
- 31 por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.
- 32 Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.
- 33 Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë.
- 34 sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.
- 35 Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata.