Fjalët e Urta 7
Shqip Bibla e Shenjtë · 27 verses
- 1 Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,
- 2 Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.
- 3 Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.
- 4 Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,
- 5 me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.
- 6 Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri
- 7 dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim,
- 8 që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,
- 9 në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.
- 10 I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;
- 11 ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;
- 12 herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.
- 13 Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:
- 14 "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;
- 15 prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.
- 16 E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;
- 17 e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.
- 18 Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,
- 19 sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;
- 20 ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë".
- 21 Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.
- 22 Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,
- 23 deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.
- 24 Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.
- 25 Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,
- 26 sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.
- 27 Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.