Fjalët e Urta 8
Shqip Bibla e Shenjtë · 36 verses
- 1 A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
- 2 Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
- 3 bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
- 4 "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
- 5 Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
- 6 Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
- 7 Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
- 8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
- 9 Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
- 10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
- 11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
- 12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
- 13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
- 14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
- 15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
- 16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
- 17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
- 18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
- 19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
- 20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
- 21 për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
- 22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
- 23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
- 24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
- 25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
- 26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
- 27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
- 28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
- 29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
- 30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
- 31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
- 32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
- 33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
- 34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
- 35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
- 36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".