Fjalët e Urta 17
Shqip Bibla e Shenjtë · 28 verses
- 1 Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.
- 2 Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit.
- 3 Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.
- 4 Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur.
- 5 Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
- 6 Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.
- 7 Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare,
- 8 Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del.
- 9 Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.
- 10 Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.
- 11 Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.
- 12 Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.
- 13 E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen.
- 14 Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet.
- 15 Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.
- 16 Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?
- 17 Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.
- 18 Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij.
- 19 Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim.
- 20 Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe.
- 21 Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.
- 22 Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.
- 23 I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.
- 24 Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.
- 25 Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur.
- 26 Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.
- 27 Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.
- 28 Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.