Fjalët e Urta 15
Shqip Bibla e Shenjtë · 33 verses
- 1 Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.
- 2 Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.
- 3 Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.
- 4 Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.
- 5 Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.
- 6 Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.
- 7 Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.
- 8 Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.
- 9 Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.
- 10 Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.
- 11 Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!
- 12 Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.
- 13 Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.
- 14 Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.
- 15 Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.
- 16 Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.
- 17 Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.
- 18 Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.
- 19 Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.
- 20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.
- 21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.
- 22 Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.
- 23 Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!
- 24 Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
- 25 Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.
- 26 Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.
- 27 Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.
- 28 Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.
- 29 Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
- 30 Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.
- 31 Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.
- 32 Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.
- 33 Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.