Fjalët e Urta 24
  • 1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
  • 2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
  • 3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
  • 4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
  • 5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
  • 6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
  • 7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
  • 8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
  • 9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
  • 10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
  • 11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
  • 12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.
  • 13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
  • 14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
  • 15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
  • 16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
  • 17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
  • 18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
  • 19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
  • 20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
  • 21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
  • 22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
  • 23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
  • 24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
  • 25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
  • 26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
  • 27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
  • 28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
  • 29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".
  • 30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;
  • 31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
  • 32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
  • 33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
  • 34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.